\ Fillon pranimi i punimeve për botim për numrin e tretë në revistën farmaceutike të OFK-së – Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Fillon pranimi i punimeve për botim për numrin e tretë në revistën farmaceutike të OFK-së

03 Shkurt 2022

Në mbledhjen e këshillit redaktues të revistës farmaceutike të mbajtur më 27 janar 2022 u vendos për temën bosht për numrin e tretë si dhe publikimin e thirrjes për punime.

Tema bosht e numrit të tretë është:

BARNATORJA SI INSTITUCION SHËNDETËSOR DHE SHËRBIMET E AVANSUARA FARMACEUTIKE

Ftojmë të gjithë kolegët që të dërgojnë punimet e tyre për publikim në revistë.

Pranimi i punimeve do të bëhet deri më datën 1 Maj 2021 në email adresën:

info@ofk-rks.net

Koncepti kryesor: Politikat për sektorin farmaceutik, Debat, Informacion, Hulumtime shkencore

Frekuenca e botimit: 2 numra në vit (Qershor dhe Dhjetor) si dhe suplementi në raste të veçanta.

Parimet e revistës: parimet etike, aspektet pozitive, të përjashtohen çështjet politike dhe bordi editorial të fokusohet vetëm në aspektet profesionale. Gjithashtu të analizohen saktë të dhënat të cilat paraqiten posaçërisht për punimet të cilat përfshijnë produktet (reklamimin e produkteve apo paraqitjen e të dëhnave për produkte nga hulumtimet e caktuara).

Sistemi i vlerësimit:

  • Bordi editorial do të bëjë vlerësimin fillestar të përshtatshmërisë së punimeve të cilat do të dërgohen për botim. Më tej varësisht nga fusha e ngushtë do të kontaktohen profesionistë të profileve të ndryshme të cilët do të bëjnë vlerësimin “peer review”.

Përmbajtja kornizë e revistës:

  • Përmbledhje ekzekutive e numrit të publikimit – letra editoriale
  • Artikulli kyç i numrit – mesazhi kryesor lidhur me sigurinë e barnave
  • Portreti i farmacistit – biografia e një farmacisti
  • Informata – nga OFK
  • Çështje rregullative në farmaci (AM, farmakovigjilenca, GxP etj) – AKPPM
  • Zhvillimet e politikave në sektorin farmaceutik në Kosovë
  • Zhvillimet e politikave në sektorin farmaceutik në Botë
  • Artikujt e sponzorizuar (pjesë e diskutimit për reklamim)
  • Studimet e rastit për produkte të kompanive të caktuara, studimet klinike, rezultatet e ndryshme të anlizohen nga bordi duke respektuar pasimet etike të ICMJE.
  • Praktika farmaceutike
    • Praktika në komunitet
    • Praktika klinike
  • Perlat e praktikës farmaceutike
  • Edukimi dhe hulumtimi Research – (artikull shkencor apo përshkrim editorial i ndonjë artikulli te publikuar)

Reklamimi:

  • Të kërkohet autorizimi nga AKPPM bazuar në Ligjin 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale
  • Reklama duhet të aprovohet nga bordi editorial
  • Reklama duhet të përmbajë saktësi në të dhënat e prezantuara
  • Të dhënat duhet të jenë të mbështetura në fakte shkencore

Plagjiatura:

  • Çdoa autor do të nënshkruajë deklaratën me të cilën merr përsipër origjinalitetin e shkrimit të artikullit duke iu shmangur plagjiaturës.
  • Të gjitha punimet do të kontrollohen përmes një sistemi për plagjiaturë të cilin do ta sigurojë OFK.

Sistemi i vlerësimit:

  • Bordi editorial do të bëjë vlerësimin fillestar të përshtatshmërisë së punimeve të cilat do të dërgohen për botim. Më tej varësisht nga fusha e ngushtë do të kontaktohen profesionistë të profileve të ndryshme të cilët do të bëjnë vlerësimin “peer review”.

Datat e rëndësishme për numrin e tretë:

  • 1 Shkurt – 1 maj– pranimi i punimeve
  • 1 maj– 15 maj – redaktimi i punimeve
  • 15 maj – 1 qershor – korrektimi dhe lekturimi
  • 1 qershor – 10 qershor – dizajnimi i revistës
  • 10 – 15 qershor – shtypi i revistës
  • 15 – 20 qershor – shpërndarja e revistës

UDHËZIME TË PËRGJITHSHME PËR AUTORË

Revista Farmaceutike është revistë profesionale dhe shkencore që boton:

  • Punime profesionale
  • Tekste informative për çështje specifike me interes të përgjithshëm në sektorin shëndetësor përkatësisht të politikave të sektorit shëndetësor/farmaceutik
  • Punime origjinale shkencore,
  • Vështrime editoriale,
  • Prezentime rasti,
  • Kumtesa të shkurtra,
  • Recenzione librash,
  • Raporte nga tubime shkencore,
  • Letra dhe editoriale nga sektori shëndetësor
  • Risitë terapeutike në sektorin shëndetësor
  • Publikime shkencore

Revista farmaceutike është revistë e cila është aprovuar me vendim të Kuvendit të Odës së Farmacisëtve të Kosovës, e cila ka për qëllim që të japë informacione për farmacistët, për aktualitetin, për çështje të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në punën e përditshme të farmacistëve dhe në përgjithësi për sektorin shëndetësor.

Revista Farmaceutike publikohet 2 herë në vit. (Suplementet shtesë mund të aprovohen me vendim nga këshilli redaktues).

Autorët është shumë e rëndësishme që të lexojnë me kujdes rregullat e publikimit sipas informatave të dhëna “instruksionet për autorët”.

Gjuha e botimeve është në Gjuhë Shqipe dhe/ose Angleze (këshilli redaktues mund të vendosë nëse botimet do të jenë edhe në gjuhë tjera). Ju lutemi përdoreni madhësinë standarde të punimit në Word me font- Times New Roman dhe madhësi të fontit 12.

Numri i faqeve (përfshirë tabelat dhe/ose figurat/ ilustrimet) varet nga lloji i artikullit:

  • Punim origjinal hulumtues – deri ne 5000 fjale dhe jo më shumë se 6 tabela dhe/ose grafikone/fotografi;
  • Punim profesional, risitë terapeutike – deri ne 3000 fjale dhe jo më shumë se 4 tabela dhe/ose figura/imazhe;
  • Prezantim rasti apo kumtesë e shkurtër – deri 2500 fjale dhe maksimum 3 tabela dhe/ose figura/imazhe.
  • Përshkrim libri – deri 1000 fjale (përfshirë analiza dhe përshkrime për softverë mjekësore, kumtesa të ndryshme, raporte nga konferencat, kapituj libri etj)
  • Tekste informative, letër redaksisë – deri 2000 fjale
  • Autorët e artikujve duhet ta paraqesin materialin në formë elektronike në adresën zyrtare në redaksinë e revistës: info@ofk-rks.net.
  • Redaksia e revistës pranon vetëm artikuj të pabotuar dhe nuk do të pranohen përkthime të revistave apo literaturës tjetër profesionale përveç analizave të punimeve.
  • Artikujt profesionalë duhet të përmbajnë:
    • Titulli i punimit (në shqip)
    • Titulli i përkthyer (përkthimi i titullit në një gjuhë të huaj, nëse është e nevojshme)
    • Emri dhe mbiemri i autorit/autorëve, titujt e tyre, si dhe institucionin
    • Adresa elektronike e autorit korespondent
    • Hyrja e punimit
    • Boshti i punimit – tema profesionale
    • Përfundim
    • Burimet e informimit, bibliografia – literatura (sipas sistemit Vancouver)
  • Gjatësia e tekstit për artikujt profesionalë duhet të vlerësohet nga bordi editorial. Redaksia ka të drejtë të shkurtojë tekstet nëse është e nevojshme edhe në marrëveshje me autorin.
  • Të gjitha tekstet do të korrigjohen dhe lekturohen.
  • Fotografitë e paraqitura duhet të jenë me rezolucion të lartë, përzgjedhja e fotove për botim përcaktohet nga bordi editorial në bashkëpunim me dizajnuesin e revistës.

UDHËZIME PËR AUTORËT – ARTIKUJT SHKENCORË

Autorët gjatë aplikimit duhet të përmbushin formen e kerkuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Redaktorëve të Revistave Mjekësore (ICMJE) për kriteret e autorësisë, respektivisht “Kërkesave uniforme për Dorëshkrimet e Pranuara në Revistat Biomjekësore”, cilën mund ta gjeni në www.icmje.org.