ODA E FARMACISTËVE TË KOSOVËS DËNON ASHPËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË NGA BARNATORET E PALICENCUARA DHE PUNËN NGA PERSONAT JOKOMPETENT
08 Prill 2020Oda e Farmacisëtve dënon ashpër 2 rastet e fundit të evidentuara në Skenderaj edhe në Klinë ku hapja e barnatoreve bëhet në kundërshtim me rregullat apo kushtet e licencës (pa farmacist përgjegjës/zëvendësues dhe pa licencë apo me licencë profesionale të skaduar të barnatores) për ushtrimin e veprimtarisë nga organi kompetent– Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, gjë që do të garantonte ruajtjen dhe mbikëqyrjen adekuate profesionale të zinxhirt të furnizimit në të gjitha hallkat prej prodhuesit deri sa bari të dorëzohet te pacienti. Aq më keq kur u vërtetua se në rastin e Klinës barnatorja përveç pa farmacist kishte qenë fare pa licencë dhe në këtë mënyrë duke pasur mundësi të shkaktimit të dëmtim serioz të shëndetit publik të popullatës.
Veprimte te tilla paraqesin shkelje te rende te dispozitave te nenit 51 (mbrojtja shëndetësore dhe sociale) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 14 të Ligjit për Produkte dhe Paisje Medicinale (Dispenzimi dhe shitja me pakicë e produkteve medicinale) dhe nenit 26 paragrafi 2 të Ligjit për Shëndetësi të Kosovës.
Kërkojmë nga të gjithë personat, dhe posaçërisht ata jo-farmacistë që janë pronarë të barnatoreve që në mënyrë strikte ti zbatojnë ligjet në fuqi dhe të mos luajnë me shëndetin publik të popullat[s dhe me dinjitetin e 1300 farmacistëve, sidomos atyre që janë në vijën e parë në këto ditë të pandemisë, të cilët po kryejnë një punë të jashtëzakonshme në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët pa e cënuar në asnjë kohë furnizmin e rregullt me produkte dhe pajisje medicinale pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballen.
OFK konsideron se veprimet e tilla nga persona të pandërgjegjëshëm po ndikojnë në krijimin e perceptimin të gabuar të publikut për punën e farmacistëve gjatë kësaj pandemie.
Oda e Farmacistëve rikujton të gjithëve se ushtrimi i profesionist të farmacistit pa pasur kualifikimet përkatëse përbën vepër penale e sanksionuar me nenin 256 të Kodit Penal të Kosovës “Kushdo që pa pasur kualifikimet profesionale apo autorizimet ligjore, kryen trajtime mjekësore, shërbime farmaceutike ose angazhohet në aktivitete tjera mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.”
OFK edhe njëherë dëshiron të theksojë se distancohet nga veprimet e tilla të abuzimeve me çmime të produkteve medicinale, abuzimin e licencës së punës apo të veprimtarisë duke shpresuar që sa më parë rastet e tilla të evidentuara të marrin dënimin e merituar konform kodit penal dhe ligjeve në fuqi.
OFK nuk do të lejojë që ndonjë individ i caktuar apo për ndonjë rast të izoluar të prishet imazhi i farmacistëve që sot janë në krye të detyrës dhe me ekspozim të lartë ndaj virusit.
Së bashku do t’ia dalim!
Dr.Sc. Arianit Jakupi
Kryetar i OFK