OFK thirrje qytetarëve për marrjen e masave adekuate për parandalimin e mundësisë së infeksionit
12 Mars 2020Të nderuar qytetarë,
Situata e krijuar me shpalljen e pandemisë nga OBSH ka krijuar edhe një panik që po manifestohet me vërshim të qytetarëve në barnatore për tu furnizuar me produkte dhe pajisje medicinale të ndryshme e posaçërisht me antibiotikë.
Ne si Odë e Farmacistëve bëjmë thirrje që qytetarët të kenë kujdes pasi edhe vetë pritjet e gjata në barnatore mund të jenë burim i infeksionit, rrezikojnë edhe stafin profesional në barnatore por gjithashtu edhe krijojnë stoqe të panevojshme të produkteve dhe pajisjeve medicinale në shtëpitë e tyre e më tej edhe mbeturina medicinale pas skadencës së tyre.
Ne si profesionistë shëndetësorë thërrasim për marrjen e masave adekuate për parandalimin e mundësisë së infeksionit dhe vetëm në rast nevoje në bazë të recetës nga mjeku të bëhet furnizimi në sasi adekuate i produktit adekuat.
Duke iu bashkuar aleancës botërore të profesionistëve shëndetësore edhe ne si OFK bëjmë thirrje për qeverinë dhe institucionet tjera që të mbështesin punonjësit e vijës së parë shëndetësore në çfarëdo mënyre që munden pasi që ata po e vënë veten në rrezik derisa luftojnë për të mbrojtur komunitetet e tyre, shpesh pa pajisjet e kërkuara mbrojtëse personale.