\ Fillon testimi dhe trajnimet e E-recetës – Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Fillon testimi dhe trajnimet e E-recetës

21 Nëntor 2019

Fillon testimi dhe trajnimet e E-Recetës!

Sot filloi një nga proceset e rëndësishme të Fondit të Sigurimeve Shëndetësor e që lidhet me punën e mirëfilltë të farmacistëve.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore po vazhdon punën në përmbushjen e parakushteve të cilat janë të domosdoshme për fillimin e procesit të rimbursimit të barnave dhe duke arritur tani që të fillojë me testimin e E-recetës duke i organizuar trajnimet e këtij procesi me grupet e farmacistëve sipas listave të anëtarëve të OFK (prandaj të gjithë farmacistët ju rikujtojmë përmbushjen e detyrimeve ligjore ndaj OFK për anëtarësimin vjetor).

Me këtë rast OFK falënderon përzemërsisht drejtorin e Fondit z.Fatmir Plakiqin dhe të gjithë kolegët që me kaq përkushtim po punojnë në përmbushjen e këtij objektivi.

Njëkohësisht kjo është edhe një thirrje shtesë për ndjekjen e këtij trajnimi pasi që personat të cilët e ndjekin këtë trajnim do të certifikohen dhe vetëm ata do ta kenë mundësinë e qasjes në sistemin e e-recetës që është parakusht për kontraktim me Fondin.

Kjo është një pikë kthese edhe për sektorin farmaceutik pasi me fillimin e punës së sigurimit shëndetësor njëkohësisht hyn në proces përdorimi i domosdoshëm i e-recetës, pastaj ato barna do të jenë sipas çmimeve unike (të cilat janë në fazë të nxjerrjes pasi puna është duke u bërë sipas dinamikës së paraparë në udhëzimin e a aprovuar për çmime)

Gjithashtu fakti i trajnimit të të gjithë farmacistëve tregon edhe punën transparente të Fondit pasi që të gjitha barnatoreve do tu jepet mundësia për kontraktim, por kjo do të nënkuptojë që barnatoret duhet gjatë gjithë kohës të kenë farmacistin në vendin e punës në mënyrë që të mbajnë kontratën me Fondin.

Këto masa që janë procese të Fondit e sjellin farmacistin në pozitë që të ushtrojë profesionin në mënyrë të dinjitetshme duke dispenzuar barna vetëm me posedim të e-recetës, me çmime unike, në institucionin shëndetësor – barnatore vetëm në prani të farmacistit, duke e marrë kështu rolin e vërtetë të profesionistit shëndetësor dhe orientimit të punës direkte me pacientët.