\ Gëzuar Vitin e Ri 2021! – Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Gëzuar Vitin e Ri 2021!

31 Dhjetor 2020

Në emër të Odës së Farmacistëve të Kosovës ju uroj një vit të mbarë, me shëndet, harmoni, profesionalizëm dhe gjithë të mirat!Viti 2020 ishte një vit sfidues për sektorin shëndetësor por edhe për popullatën në përgjithësi. Farmacistët si profesionistë shëndetësorë janë përpjekur maksimalisht që të jenë në krye të detyrës gjatë tërë vitit dhe posaçërisht në ditët më të vështira të pandemisë që shpresojmë sa më parë ta mposhtim. Me këtë rast të gjithë atyre të cilët kanë pasur fatalitete në familjet e tyre ju shpreh ngushëllime të sinqerta në emër të OFK.

Ne si kryesi e OFK jemi munduar maksimalisht që gjatë tërë vitit të jemi në shërbim të komunitetit dhe që të mos ndalim shërbimet të cilat OFK i ka në kuadër të detyrave dhe kompetencave të saj.

Organizuam me sukses tri ngjarje të edukimit të vazhdueshëm profesional të cilat mundësuan edhe marrjen e pikëve kredituese për kolegët por edhe ruajtjen e vazhdimësisë së proceseve.

Vitin po e përmbyllim me përzgjedhjen e pesë punimeve më të mira shkencore për vitin 2020 për të cilat OFK ka ndarë një shumë simbolike për përkrahje edhe financiare me shpresën që të nxisim sado pak vlerësimin e punës profesionale dhe shkencore dhe që në vitin 2021 të kemi më shumë publikime të tilla.

Urojmë më të mirat për vitin që vjen, urojmë që për pandeminë të flasim vetëm në aspekt profesional e shkencor duke iu referuar të kaluarës, urojmë për avansim të pozitës së farmacistit në shoqëri – për këtë nuk do të ndalemi, urojmë që të mund të shihemi sa më parë në konferenca apo takimet tona profesionale që tashmë me dekada janë tradicionale që janë nisur dhe mbajtur me sukses nga farmacistët para nesh, e të cilën rrugë ne po mundohemi ta vazhdojmë duke ruajtur traditën, duke tentuar avansimin e saj por edhe duke tentuar që të përmbushim misionin tonë.

Gëzuar të gjithëve për vitin e ri 2021!

Arianit Jakupi

Kryetar i OFK