\ OFK DIGJITALIZON APLIKIMET PËR AKREDITIMIN E AKTIVITETEVE TË EVP-SË – Oda e Farmacistëve të Kosovës.

OFK DIGJITALIZON APLIKIMET PËR AKREDITIMIN E AKTIVITETEVE TË EVP-SË

30 Maj 2026

Oda e Farmacistëve të Kosovës njofton të gjithë organizatorët e aktiviteteve të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional se, nga tani, aplikimet për akreditimin e aktiviteteve të EVP-së do të realizohen online përmes Platformës Digjitale të OFK-së.

🌐https://online.ofk-rks.net/register/external

Ky proces mundëson dorëzimin elektronik të kërkesave, ngarkimin e dokumentacionit, shqyrtimin e aplikimeve dhe komunikimin me organizatorët në mënyrë më të shpejtë, më transparente dhe më efikase.

Regjistrimi në platformë

Për të aplikuar për akreditim të aktiviteteve, organizatat, institucionet, kompanitë, OJQ-të dhe subjektet tjera të jashtme duhet fillimisht të regjistrohen në platformë.

Regjistrimi bëhet duke klikuar në opsionin “Apliko si Organizatë apo Individ i Jashtëm”, ku aplikuesi plotëson të dhënat e personit të autorizuar dhe të organizatës, si dhe ngarkon dokumentacionin e kërkuar.

Pas dorëzimit të kërkesës për regjistrim, aplikuesi pranon një email automatik që konfirmon pranimin e aplikimit. Në këtë fazë, llogaria mbetet në pritje deri në shqyrtimin dhe miratimin nga OFK-ja.

OFK verifikon dokumentacionin dhe të dhënat e dorëzuara. Pas miratimit të regjistrimit, organizatori njoftohet përmes emailit dhe llogaria aktivizohet për përdorim.

Regjistrimi në platformë bëhet vetëm një herë. Pas aktivizimit të llogarisë, organizatori mund të përdorë të njëjtën qasje, me emailin dhe fjalëkalimin e tij, për të aplikuar çdo herë për akreditimin e aktiviteteve të reja të EVP-së, pa pasur nevojë të regjistrohet përsëri.

Aplikimi për akreditim

Pas aktivizimit të llogarisë dhe kyçjes në platformë, organizatori zgjedh modulin “Edukimi i Vazhdueshëm Profesional” dhe më pas opsionin “Krijo Edukim të Vazhdueshëm”.

Në formularin e aplikimit plotësohen të dhënat kryesore të aktivitetit, përfshirë kategorinë e aktivitetit, emrin e programit, profilin e pjesëmarrësve, logon e organizatorit, vendin e mbajtjes, adresën, datat e aktivitetit, afatet e regjistrimit dhe numrin e planifikuar të pjesëmarrësve.

Nëse aktiviteti ka pagesë për pjesëmarrje, organizatori aktivizon opsionin “Ka kuotizim” dhe përcakton shumën dhe përshkrimin e kuotizimit. Platforma mundëson vendosjen deri në dy lloje të ndryshme të kuotizimit. Nëse aktiviteti është pa pagesë, kjo pjesë nuk plotësohet.

Organizatori duhet të ngarkojë edhe dokumentacionin e nevojshëm për akreditim, duke përfshirë agjendën e aktivitetit, CV-të e ligjëruesve, trajnerëve dhe udhëheqësve, programin e detajuar të aktivitetit dhe dokumentet tjera përcjellëse sipas kërkesave të OFK-së.

Pas plotësimit të të gjitha fushave dhe ngarkimit të dokumenteve, organizatori klikon butonin “Dërgo”. Pas dorëzimit, aplikimi kalon në procesin e vlerësimit nga organet kompetente të OFK-së.

Gjatë shqyrtimit bëhet vlerësimi i dokumentacionit, programit profesional dhe përmbushjes së kritereve për akreditim, si dhe përcaktohen taksat administrative përkatëse. Organizatori njoftohet për statusin e kërkesës përmes platformës dhe emailit.

Pas përfundimit të vlerësimit dhe miratimit nga OFK-ja, aktiviteti konsiderohet i akredituar sipas vendimit përkatës.

OFK ka përgatitur edhe udhëzues vizualë për regjistrimin në platformë dhe aplikimin për akreditim, të cilët do t’u ndihmojnë organizatorëve ta realizojnë procesin më lehtë dhe më qartë.