DOKUMENTE NE KONSULTIM PUBLIK – PROJEKTRREGULLORET E ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS
25 Tetor 2026Përmbajtja e shkurtër e dokumenteve
Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka hapur për konsultim tri projektrregullore që kanë për qëllim rregullimin e organizimit, funksionimit, kompetencave dhe përgjegjësive të organeve profesionale të OFK-së.
1. PROJEKTRREGULLORE PËR THEMELIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AKADEMISË SË ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS
Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e themelimit, organizimit, përbërjes, kompetencave, mënyrës së funksionimit dhe përgjegjësive të Akademisë së OFK-së.
Akademia synon promovimin e zhvillimit shkencor dhe profesional të farmacisë, nxitjen e kërkimit shkencor, mbështetjen e botimeve profesionale dhe shkencore, avancimin e edukimit të vazhdueshëm profesional, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
2. PROJEKTRREGULLORE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT PËR FARMACI NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE
Kjo rregullore përcakton organizimin, përbërjen, fushëveprimin, detyrat, përgjegjësitë dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit për Farmaci në Institucionet Shëndetësore.
Komisioni synon trajtimin e çështjeve profesionale që lidhen me ushtrimin, organizimin, zhvillimin dhe avancimin e praktikës farmaceutike dhe të shërbimeve farmaceutike në institucionet shëndetësore publike dhe private, duke përfshirë barnatoret komunitare dhe institucionet e kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor.
3. PROJEKTRREGULLORE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT PËR FARMACI NË INSTITUCIONET TJERA JOSHËNDETËSORE
Kjo rregullore përcakton organizimin, përbërjen, fushëveprimin, detyrat, përgjegjësitë dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit për Farmaci në Institucionet Tjera Joshëndetësore.
Komisioni synon identifikimin dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me pozitën, rolin, përfaqësimin dhe zhvillimin profesional të anëtarëve të OFK-së që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në institucione dhe organizata të tjera, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, AKPPM-në, Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, inspektoratet përkatëse dhe institucionet arsimore.
Qëllimi i procesit të konsultimit
Transparenca, gjithëpërfshirja dhe kontributdhënia profesionale.
Në këtë fazë, projektrregulloret publikohen për konsultim me qëllim të marrjes së ideve, komenteve, vërejtjeve dhe rekomandimeve nga anëtarët e OFK-së, profesionistët farmaceutikë, institucionet, organizatat profesionale, ekspertët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara.
Procesi i konsultimit synon të sigurojë pjesëmarrje sa më të gjerë në hartimin dhe përmirësimin e akteve normative të OFK-së, duke mundësuar që përmbajtja e tyre të pasqyrojë nevojat, interesat dhe sfidat e komunitetit farmaceutik.
Pas përmbylljes së periudhës së konsultimit, të gjitha komentet dhe rekomandimet e pranuara do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga organet përgjegjëse të OFK-së. Propozimet e arsyetuara dhe të vlerësuara si të përshtatshme do të përfshihen në versionet përfundimtare të projektrregulloreve, të cilat do të procedohen për shqyrtim dhe miratim pranë organeve kompetente të OFK-së.
Periudha e konsultimit dhe afati përfundimtar për dorëzimin e komenteve
Projektrregulloret qëndrojnë të hapura për konsultim nga data 26 tetor 2026 deri më 12 nëntor 2026.
Afati përfundimtar për dorëzimin e kontributeve me shkrim është data 12 nëntor 2026.
Të gjitha komentet, vërejtjet dhe rekomandimet duhet të dorëzohen në formë elektronike në adresat:
- info@ofk-rks.net
- tb35244@seeu.edu.mk
Me subjekt: Komente dhe rekomandime – Konsultimi i projektrregulloreve të OFK-së 2026
Ju lutemi që gjatë dorëzimit të kontributit të specifikoni qartë projektrregulloren së cilës i referohen komentet, si dhe nenin apo dispozitën konkrete për të cilën propozoni ndryshime ose plotësime.
Komentet nga individët dhe organizatat
Për të lehtësuar shqyrtimin dhe vlerësimin e kontributeve, ju lutemi që komentet të përmbajnë:
- Emrin dhe mbiemrin e individit ose emrin e organizatës që paraqet komentet;
- Institucionin ose organizatën që përfaqëson, nëse është e aplikueshme;
- Informatat e kontaktit (email dhe telefon);
- Emërtimin e projektrregullores përkatëse;
- Nenin, paragrafin ose dispozitën për të cilën paraqitet komenti;
- Propozimin konkret për ndryshim ose plotësim, së bashku me arsyetimin përkatës;
- Datën e dorëzimit të komenteve.
Dokumentet e bashkëngjitura
Bashkëngjitur me këtë dokument konsultimi janë tri projektrregulloret e Odës së Farmacistëve të Kosovës, të cilat janë objekt i këtij procesi konsultimi.
Oda e Farmacistëve të Kosovës inkurajon të gjithë anëtarët dhe palët e interesuara që të kontribuojnë në këtë proces, me qëllim të hartimit të akteve normative sa më gjithëpërfshirëse, funksionale dhe në shërbim të zhvillimit të profesionit farmaceutik.


