\ HAPET AFATI PËR KANDIDIM PËR ORGANET E ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS – Oda e Farmacistëve të Kosovës.

HAPET AFATI PËR KANDIDIM PËR ORGANET E ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS

02 Korrik 2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Odës së Farmacistëve të Kosovës njofton të gjithë anëtarët e Kuvendit të OFK-së se, në përputhje me kalendarin zgjedhor dhe Vendimin e KQZ-së për hapjen e periudhës së kandidimit, nga data 02 korrik 2026 deri më 08 korrik 2026 është i hapur afati për paraqitjen e kandidaturave për zgjedhjen e organeve të Odës së Farmacistëve të Kosovës.

Kandidaturat mund të paraqiten për këto organe:

  • Këshillin Drejtues;
  • Këshillin Mbikëqyrës;
  • Gjykatën e Nderit;
  • Këshillin Etik;
  • Prokurorin e Odës; dhe
  • Zëvendësprokurorin e Odës.

Kriteret për kandidim

Për kandidim në organet e Odës së Farmacistëve të Kosovës, kandidati duhet t’i plotësojë këto kushte:

  1. Të jetë anëtar i Kuvendit të Odës së Farmacistëve të Kosovës dhe të ketë dhënë betimin si anëtar i Kuvendit.
  2. Përjashtimisht nga pika 1, kandidati për funksionin e Prokurorit të Odës dhe Zëvendësprokurorit të Odës mund të kandidojë edhe nëse nuk është anëtar i Kuvendit.
  3. Një kandidat nuk mund të kandidojë njëkohësisht për më shumë se një (1) funksion ose për më shumë se një (1) organ të Odës së Farmacistëve të Kosovës. Kandidimi lejohet vetëm për një (1) funksion (Kryetar, Zëvendëskryetar ose Anëtar) në një (1) organ.
  4. Në formularin e kandidimit, kandidati duhet të deklarojë qartë organin për të cilin kandidon, si dhe funksionin për të cilin paraqet kandidaturën, përkatësisht:
    • Kryetar;
    • Zëvendëskryetar; ose
    • Anëtar,
    sipas strukturës dhe funksioneve të parashikuara për organin përkatës.
  5. Të sigurojë mbështetjen me nënshkrim të së paku pesë (5) anëtarëve të Kuvendit, të cilët kanë përfunduar procedurën e betimit.
  6. Çdo anëtar i Kuvendit mund të japë nënshkrim mbështetës vetëm për një (1) kandidat për të njëjtin organ.
  7. Anëtari i Kuvendit nuk mund të japë nënshkrim mbështetës për kandidaturën e tij/saj.
  8. Kandidati është i detyruar të dorëzojë formularin e kandidimit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të plotësuar sipas kërkesave të përcaktuara.
  9. Kandidaturat dorëzohen fizikisht në zyrat e Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), në periudhën 02 korrik 2026 – 08 korrik 2026, çdo ditë pune nga ora 08:30 deri në ora 15:00, me përjashtim të kohës së pauzës nga ora 12:00 deri në ora 13:00. Kandidaturat e dorëzuara pas përfundimit të afatit nuk do të pranohen.
  10. Kandidatura konsiderohet e vlefshme vetëm nëse dokumentacioni i kërkuar është i plotë dhe dorëzohet brenda afatit dhe në mënyrën e përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Dokumentet për shkarkim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë anëtarët që plotësojnë kushtet e përcaktuara të paraqesin kandidaturat e tyre brenda afatit të përcaktuar.