\ DOKUMENTE NE KONSULTIM PUBLIK – PROJEKTRREGULLORET E ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS – Oda e Farmacistëve të Kosovës.

DOKUMENTE NE KONSULTIM PUBLIK – PROJEKTRREGULLORET E ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS

25 Tetor 2026

Përmbajtja e shkurtër e dokumenteve

Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka hapur për konsultim tri projektrregullore që kanë për qëllim rregullimin e organizimit, funksionimit, kompetencave dhe përgjegjësive të organeve profesionale të OFK-së.

1. PROJEKTRREGULLORE PËR THEMELIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AKADEMISË SË ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS

Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e themelimit, organizimit, përbërjes, kompetencave, mënyrës së funksionimit dhe përgjegjësive të Akademisë së OFK-së.

Akademia synon promovimin e zhvillimit shkencor dhe profesional të farmacisë, nxitjen e kërkimit shkencor, mbështetjen e botimeve profesionale dhe shkencore, avancimin e edukimit të vazhdueshëm profesional, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

2. PROJEKTRREGULLORE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT PËR FARMACI NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE

Kjo rregullore përcakton organizimin, përbërjen, fushëveprimin, detyrat, përgjegjësitë dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit për Farmaci në Institucionet Shëndetësore.

Komisioni synon trajtimin e çështjeve profesionale që lidhen me ushtrimin, organizimin, zhvillimin dhe avancimin e praktikës farmaceutike dhe të shërbimeve farmaceutike në institucionet shëndetësore publike dhe private, duke përfshirë barnatoret komunitare dhe institucionet e kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor.

3. PROJEKTRREGULLORE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT PËR FARMACI NË INSTITUCIONET TJERA JOSHËNDETËSORE

Kjo rregullore përcakton organizimin, përbërjen, fushëveprimin, detyrat, përgjegjësitë dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit për Farmaci në Institucionet Tjera Joshëndetësore.

Komisioni synon identifikimin dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me pozitën, rolin, përfaqësimin dhe zhvillimin profesional të anëtarëve të OFK-së që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në institucione dhe organizata të tjera, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, AKPPM-në, Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, inspektoratet përkatëse dhe institucionet arsimore.

 

Qëllimi i procesit të konsultimit

Transparenca, gjithëpërfshirja dhe kontributdhënia profesionale.

Në këtë fazë, projektrregulloret publikohen për konsultim me qëllim të marrjes së ideve, komenteve, vërejtjeve dhe rekomandimeve nga anëtarët e OFK-së, profesionistët farmaceutikë, institucionet, organizatat profesionale, ekspertët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara.

Procesi i konsultimit synon të sigurojë pjesëmarrje sa më të gjerë në hartimin dhe përmirësimin e akteve normative të OFK-së, duke mundësuar që përmbajtja e tyre të pasqyrojë nevojat, interesat dhe sfidat e komunitetit farmaceutik.

Pas përmbylljes së periudhës së konsultimit, të gjitha komentet dhe rekomandimet e pranuara do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga organet përgjegjëse të OFK-së. Propozimet e arsyetuara dhe të vlerësuara si të përshtatshme do të përfshihen në versionet përfundimtare të projektrregulloreve, të cilat do të procedohen për shqyrtim dhe miratim pranë organeve kompetente të OFK-së.

Periudha e konsultimit dhe afati përfundimtar për dorëzimin e komenteve

Projektrregulloret qëndrojnë të hapura për konsultim nga data 26 tetor 2026 deri më 12 nëntor 2026.

Afati përfundimtar për dorëzimin e kontributeve me shkrim është data 12 nëntor 2026.

Të gjitha komentet, vërejtjet dhe rekomandimet duhet të dorëzohen në formë elektronike në adresat:

  • info@ofk-rks.net
  • tb35244@seeu.edu.mk

Me subjekt: Komente dhe rekomandime – Konsultimi i projektrregulloreve të OFK-së 2026

Ju lutemi që gjatë dorëzimit të kontributit të specifikoni qartë projektrregulloren së cilës i referohen komentet, si dhe nenin apo dispozitën konkrete për të cilën propozoni ndryshime ose plotësime.

Komentet nga individët dhe organizatat

Për të lehtësuar shqyrtimin dhe vlerësimin e kontributeve, ju lutemi që komentet të përmbajnë:

  • Emrin dhe mbiemrin e individit ose emrin e organizatës që paraqet komentet;
  • Institucionin ose organizatën që përfaqëson, nëse është e aplikueshme;
  • Informatat e kontaktit (email dhe telefon);
  • Emërtimin e projektrregullores përkatëse;
  • Nenin, paragrafin ose dispozitën për të cilën paraqitet komenti;
  • Propozimin konkret për ndryshim ose plotësim, së bashku me arsyetimin përkatës;
  • Datën e dorëzimit të komenteve.

Dokumentet e bashkëngjitura

Bashkëngjitur me këtë dokument konsultimi janë tri projektrregulloret e Odës së Farmacistëve të Kosovës, të cilat janë objekt i këtij procesi konsultimi.

Oda e Farmacistëve të Kosovës inkurajon të gjithë anëtarët dhe palët e interesuara që të kontribuojnë në këtë proces, me qëllim të hartimit të akteve normative sa më gjithëpërfshirëse, funksionale dhe në shërbim të zhvillimit të profesionit farmaceutik.

Shkarko PROJEKTRREGULLORE PËR THEMELIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AKADEMISË SË ODËS SË FARMACISTËVE TË KOSOVËS

Shkarko PROJEKTRREGULLORE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT PËR FARMACI NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE

Shkarko PROJEKTRREGULLORE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT PËR FARMACI NË INSTITUCIONET TJERA JOSHËNDETËSORE

Shkarko DOKUMENTI ME DETAJET E KONSULTIMIT PUBLIK